Aksidenti i rëndë në Tiranë, Softa thirrje autoriteteve: Të merren masa konkrete për monopatinat (artikull nga Pamfleti)

Pas aksidentit të rëndë me tre të mitur, të cilët lëviznin me monopatinë dhe u përplasën nga një makinë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ekspertët kanë ngritur alarmin për përdorimin e këtyre mjeteve.

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka sugjeruar marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve të tilla. Një nga të miturit ndodhet në intubim, ndërsa eksperti theksoi se kjo situatë nuk do të ndodhte nëse i mituri do të kishte pasur kokore.“Aksidenti me tre të mitur, ku njëri është në gjendje të rëndë. Goditja që ka marrë është në kokë. Nëse do të kishte pasur një masë mbrojtëse edhe biçikletat kanë detyrim ligjor për kokore. Edhe punonjësit e policisë që konstatojnë fëmijë me monopatina të vendosin penalitete. Rasti ka ndodhur në korsi emergjence”, tha Softa.

Ndërkohë që Italia po shqyrton mundësinë e targimit të monopatinave për t’i identifikuar, Softa sugjeron që edhe në vendin tonë të përdorin jelekë fosforeshentë.

“Mjafton të lenë një kartë krediti dhe atë e merr. Ky konfuzion dhe përdorim masiv pa kriter ka krijuare një kaos dhe shkak i aksidenteve. Italia po shikon mundësinë për t’i targuar. Personat që lëvizin me ta duhet të kenë masat mbrojtëse, kokore, gjunjëza. Edhe në Shqipëri duhet të lëvizin me jelekë fosforeshentë motorët, por edhe monopatinat. Edhe pse nuk është i përcaktuar për monopatinat, jeleku duhet të përcaktohet”, u shpreh ai për “A2 CNN”.

Eksperti i sigurisë thotë gjithashtu se duhet të merren masa parandaluese: nga mbikëqyrja me kamera, te gjobat dhe sekuestrimi i monopatinës.

“Duhet të ketë kamera inteligjente që montohen në kase të caktuara siç numërojnë biçikletat dhe numrin e mjeteve që shkelin hyjnë dhe kalojnë në ato zona të dedikuara. Parandalimi vjen edhe me ndëshkim me gjoba dhe mos të presim aksidentin e radhës. Gjoba të shkojë në banesë deri te sekuestrimi i monopatinës. Polici është për zgjidhjen e problemit në rrugë”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Il tuo indirizzo email non sarà pubblicato. I campi obbligatori sono contrassegnati *